RPHS Law
Programet për Pronësinë e Aksioneve nga Punonjësit – PPAP, (ang. Employment Stock Ownership Plan – ESOP), është një plan përfitues që ofrohet nga kompania në mënyrë që t’u ofroj punonjësve mundësinë që të kenë të drejtën në pronësinë e aksioneve të kompanisë. Qëllimi i këtij plani është të mundësoj fuqizimin e punonjësve, mbajtjen e punonjësve në kompani në një periudhë më të gjatë, si dhe sigurimin e besnikërisë së tyre ndaj kompanisë. Ky lloj i skemës zakonisht aplikohet apo kufizohet tek menaxhmenti i lartë dhe pozita tjera kyçe të kompanisë, pozita të cilat sigurojnë stabilitetin e kompanisë.
PPAP mund të realizohet në mënyra të ndryshme në varësi të formës së organizimit të kompanisë. Njëra nga mënyrat është ajo ku punonjësit mund të blejnë aksione drejtpërdrejt në kompani duke investuar në ato. Ky plan kryesisht zbatohet në kompanitë e reja apo start-ups ku është një nevojë me e madhë për investime dhe për rritje të kapitalit në mënyrë që të sigurohet qëndrushmëria financiare e kompanisë. Një mënyrë tjetër e implementimit të PPAP është që kompanitë mund të vendosin që të ndajnë bonuse për punëtorët të cilët arrijnë objektivat e caktuara nga ana e kompanisë. PPAP mund të aplikohet duke ju ofruar pjesëmarrje direkte në aksioneve të Kompanisë në mënyrë të përkohshme për aq gjatë sa jane të angazhuar në kompani dhe në këtë këtë mënyrë të përfitojnë direkt përmes planit të ndarjes së fitimit.
Me aplikimin e skemave të PPAP, shumica e kompanive kanë arritur stabilitet në punësim, dhe kanë arritur të motivojnë dhe inciojnë ide të reja nga punëtorët. Kjo mbështetet edhe përmes studimeve të shumta, ku vërehet se produktiviteti i kompanive që kanë zbatuar PPAP është rritur me 4%, kthimi në ekuitet me 14%, kthimi në asete me 12%, margjinat e profitit me 11% dhe kthimi per aksionarët është bërë në 2% pas aplikimit të dhënjes së aksioneve. Në rast se kompanitë kanë aplikuar plane më të gjera dhe më gjithpërfshirëse rritja e produktivitetit është rritur rreth 20-33%.
Në Kosovë, Ligji për Shoqëritë Tregtare parashikon aplikimin e PPAP. Ajo çka kërkohet nga kompanitë është që PPAP të jetë në linjë me interesat ekonomike të kompanise dhe duhet të parashihet përmes një dokumenti i cili duhet të miratohet në Kuvendin e Aksionarëve. Ky dokument sipas praktikave të mira, duhet të përmbajë shumën e aksioneve totale që mund të përfitojnë punëtorët, procedurat e fitimit të pronësisë në aksione, punëtorët të cilët kanë të drejtë të kenë qasje në skema të tilla dhe kushtet të cilat duhet plotësuar.
Kështu, në Gjermani, vlera e përgjithshme nominale e aksioneve që i nënshtrohen opsioneve dhe të drejtës së blerjes nga punëtorët nuk duhet të kalojë 10% të kapitalit nominal aksionar. Në bazë të praktikës, kryesisht përcaktohen kushtet si në vijim: punësimi i punëtorit me kompaninë për një periudhë të caktuar kohore (zakonisht 5 vite); performanca e punëtorit; performanca e kompanisë (rritja e vlerës së kompanisë).
Shumica e kompanive në vendet e zhvilluara, zbatojnë PPAP të përshtatshme për modelin e tyre të biznesit, duke synuar krijimin e një mjedisi më të mirë për punonjësit, por gjithashtu duke përfituar drejtpërdrejt duke motivuar punonjësit e tyre, për të sjellë rezultate më të mira dhe duke e ndihmuar në rritjen e kompanisë.