Autorët: Metin Qestaj dhe Art Sylaj
Kosova ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara në rregullimin e sportit me miratimin e Ligjit në fuqi për Sportin, i cili sjell ndryshime të rëndësishme që do të transformojnë peisazhin sportiv në vend. Ky ligj, i hartuar për të adresuar sfidat dhe kërkesat aktuale të sportit në Kosovë, synon të krijojë një kornizë më të detajuar, më të sigurt dhe më të strukturuar për zhvillimin e sportit në nivel kombëtar, përmes risive të elaboruara si në vijim.
- Krijimi i Agjencisë së Sportit dhe Inspektoratit të Sportit
Ligji për Sporting krijon një strukturë të re institucionale në sportin kosovar përmes krijimit të Agjencisë së Sportit dhe Inspektoratit të Sportit, të dyja në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto organe të reja janë krijuar për të garantuar që zhvillimi i sportit të ndjekë praktikat e shëndosha dhe standardet e përcaktuara nga organizatat ndërkombëtare.
Fillimisht, Agjencia e Sportit do të veprojë si një organ strategjik që harton politikat e zhvillimit të sportit në Kosovë, koordinon projektet kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe ndihmon në krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme sportive. Ndërsa, Inspektorati i Sportit do të ketë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtyre politikave, duke siguruar që të gjitha organizatat sportive respektojnë normat ligjore dhe standardet e përcaktuara. - Qeverisja e mirë dhe transparenca e detyrueshme për organizatat sportive
Një nga risitë e rëndësishme të këtij ligji është detyrimi i organizatave sportive për të draftuar dhe për t‘iu përmbajtur kodit të qeverisjes së mirë, si një praktikë e kahmotshme e organizatave ndërkombëtare të sportit. Federatat dhe klubet sportive do të obligohen të ndjekin standarde të larta të transparencës dhe llogaridhënies, duke përfshirë raportime të rregullta financiare dhe procedura të qarta të vendimmarrjes. - Kontratat sportive
Ligji për Sportin parasheh se kontrata sportive duhet të jetë në formën e shkruar, e noterizuar dhe të regjistrohet në federatën përkatëse. Sipas Ligjit të ri për Sportin, kontrata sportive nuk mund të lidhen për një kohë më të gjatë se pesë (5) vite dhe nuk përcakton periudhën provuese. Në rast se kontrata sportive nuk është e vlefshme sipas dispozitave të Ligjit të Sportit, atëherë klubi sportiv do të gjobitet për kundërvajtje, duke bartur rrezikshmërinë për pavlefshmërinë e kontratës. - Mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së sportistëve
Përveç të lartcekurave, Ligji për Sportin adreson rëndësinë e shëndetit dhe sigurisë së sportistëve, duke vendosur masa të rrepta që të gjithë sportistët dhe organizatat sportive duhet t’i respektojnë. Kontrollet e rregullta shëndetësore bëhen të detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në sporte të organizuara, ndërsa objektet sportive do të inspektohen rregullisht për të garantuar përputhshmërinë me standardet e sigurisë, për të cilat do të përkujdeset Inspektorati i Sportit. - Këshilli i Arbitrazhit Sportiv
Ligji për Sportin adreson kompetencat e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (“KAS“) duke sjellur risi në përbërjen e këtij Këshilli, në mandatin e anëtarëve të saj dhe në metodat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sportive përmes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit – alternativa të ofruara nga KAS. Fillimisht, Ligji për Sportin, ndër të tjera, parasheh se anëtarët në KAS duhet të kenë më së paku dhjetë (10) vite përvojë profesionale si juristë të diplomuar.
Përveç kësaj, Ligji për Sportin i ndalon anëtarët e KAS-it të jenë pjesë e listës së arbitrave dhe ndërmjetësuesve të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (“GjAS”). Kushtet për të qenë pjesë e listës së arbitrave dhe ndërmjetësuesve të GjAS janë të ngjajshme me ato të anëtarëve të KAS, përveç se këtu, ndërmjetësues mundet të jetë vetëm personi i licencuar sipas Ligjit për Ndërmjetësim.
Përfundim: Një bazë e re për zhvillimin e sportit në Kosovë
Hyrja në fuqi e Ligjit Nr. 08/L-277 për Sportin synon të përmirësoj dhe zhvilloj sportin në Kosovë, duke krijuar një kornizë më të qartë ligjore dhe institucionale pë r sportin, si dhe një ekosistem më të organizuar për të gjithë aktorët e përfshirë në fushën e sportit. Ligji për Sporting ofron një kornizë më të qartë për zhvillimin e sportit në të gjitha nivelet, nga sportet shkollore dhe amatore deri te ato profesionale dhe ndërkombëtare.
Organizatat sportive dhe sportistët janë të inkurajuar që të përgatiten për ndryshimet që do të sjellë ky ligj dhe të adaptojnë praktikat e tyre në përputhje me dispozitat e reja.