Sistemi i Tatimit në të Ardhurat Personali në territorin e Kosovës rregullohet që nga viti 2015 përmes Ligjit Nr. 05/L -028 për Tatimin në të Ardhurat Personale (“LTAP”). Ky ligj përcakton tatimpaguesit, objektin e tatimit, të ardhurat e tatueshme dhe të gjitha aspektet e tjera vitale për sistemin e tatimit në të ardhurat personale.
Më datë 23 Gusht 2024, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore (“Ligji i Ri”).
Ligji i ri ndryshon një nga aspekte kyçe të sistemit të tatimit në të ardhurat personale, përkatësisht shkallët e tatimit. Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Ri, të ardhurat personale vjetore janë ngarkuar nga neni 6 i LTAP si në vijim:
- Për të ardhurat e tatueshme nëntëqind e gjashtëdhjetë euro (960 €) ose më pak, zero për qind (0%);
Për të ardhurat e tatueshme mbi nëntëqind e gjashtëdhjetë euro (960 €) deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), katër për qind (4%) të shumës mbi nëntëqind e gjashtëdhjetë euro (960 €); - Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetëdhjetë e një pikë gjashtë euro (81.6 €) plus tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe
- Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), dyqind e shtatëdhjetë e tre pikë gjashtë euro (273.6 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).
Duke filluar nga 23 Gusht 2024, të ardhurat personale vjetore do të ngarkohen si vijon:
- Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind (0%);
- Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe
- Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).
Në zbatim të shkallëve të reja tatimore që rrjedhin nga Ligji i Ri, Administrata Tatimore e Kosovës do të publikoj përditësimet përkatëse në sistemin elektronik EDI për deklarimin dhe pagesën e tatimeve në të ardhurat personale jo më largë se 01 shtator 2024.